BE miraton raportin për Shqipërinë, më 26 maj çelet faza përmbyllëse e negociatave
Shqipëria ka marrë një tjetër sinjal pozitiv në procesin e integrimit europian, pasi vendet anëtare të Bashkimit Europian ranë dakord për raportin që vlerëson progresin e deritanishëm të negociatave.
Grupi i Punës për Zgjerimin i Bashkimit Europian, COELA, i dha dritën jeshile raportit IBAR, dokumenti që vlerëson përmbushjen e pikave të ndërmjetme nga Shqipëria në procesin e integrimit europian. Sipas procedurës, drafti i dakordësuar nga 27 vendet anëtare pritet të miratohet edhe në COREPER, mbledhjen e ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian.
Pas këtij zhvillimi, më 26 maj në Bruksel do të zhvillohet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku pritet të mbyllet zyrtarisht faza hyrëse dhe të hapet faza përmbyllëse e negociatave të anëtarësimit.
Rama: Shqipëria fitoi sërish
Kryeministri Edi Rama reagoi pas vendimit të COELA-s, duke deklaruar se pretendimet për bllokim të negociatave dhe ndëshkim të Shqipërisë nga Bashkimi Europian rezultuan të pavërteta. Në reagimin e tij, Rama sulmoi opozitën dhe kritikët e procesit të integrimit, duke i akuzuar për përhapje të lajmeve negative ndaj Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Thanë negociatat u bllokuan. Thanë Shqipëria u ndëshkua. Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua. Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi”, shkroi Rama.
Kryeministri theksoi se Konferenca Ndërqeveritare e 26 majit do të vulosë me sukses fazën hyrëse të negociatave dhe do të çelë fazën përmbyllëse të procesit të anëtarësimit.
“Shqipëria Europiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, e cila shkruhet me vizion, punë dhe përkushtim, hap pas hapi”, deklaroi ai.
Një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit
Raporti IBAR konsiderohet një dokument kyç në procesin negociues, pasi vlerëson përmbushjen e kritereve të ndërmjetme në kapitujt themelorë të negociatave me Bashkimin Europian.
Kalimi i këtij raporti i hap rrugë Shqipërisë për të vijuar me fazën finale të negociatave të anëtarësimit, në kuadër të objektivit të shpallur nga qeveria për anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2030. Kryeministri falënderoi institucionet shqiptare, ekipin negociator dhe qytetarët për mbështetjen ndaj procesit të integrimit europian.